Ari

“Kam blerë deri në dy mijë euro ari”, rritet çmimi i arit, një gram shkon deri në 70 euro

Pos rritjes së çmimeve të produkteve bazë, së fundmi rritje të çmimit ka pësuar edhe ari.

Një gram ari, ditëve të fundit në Kosovë, po shitet nga 60 deri në 70 euro.

Brenda 5 viteve, ky metal i çmuar ka shënuar një rritje goxha të madhe.

“Është shqetësuese puna e çmimit pasi ne si Kosovë nuk kemi BERZ tonë, nuk kemi qasje në çmim, çmimet brenda ditës munden të varijojnë, ka ngritje e rënie të çmimit, kështu që është në huti edhe qytetari, por edhe shitësi. Aktualisht çmimi i arit është nga 60- deri ne 70 euro. Përafërsisht çmimi i arit brenda 5 viteve të fundit ka shënuar rritje 35%”, ka thënë kryetari i artarëve, Enver Pakashtica.

E shitjet më të mëdha arit, për shitësit është sezona e verës, në kohën kur në Kosovë organizohen dasmat.

“Periudha e verës është sezona e dasmave dhe në atë periudhë ka më shumë interesim, të shohim këtë vit si do më shku, meqenëse ka filluar një rënie e çmimit në javën e fundit”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht çmimit, interesimi i qytetarëve për të blerë nuk mungon.

Madje atyre nuk po iu duket shtrenjtë këto çmime.

“Kundrejt pagave është pak më shtrenjtë, kam ble ma herët kam ble tash, por mu nuk po me doket ndonjë dallim. Ari ja vlen më ble, mu nuk po mdoket shtrenjtë por varet nga standardi qysh e ki”, ka thënë qytetarja Rrahime Sopjani.

“Çmimi i arit nuk është shtrenjtë se zbukuron burrat me ngjit ne gisht, zinxhirin në fyt çikat dhe vashat e reja. 2 mijë euro i kam ble djalit veç dukat se kam djalin e mire”, ka thënë qytetari tjetër, Sylejman Krasniqi.

Edhe në bursat ndërkombëtare për momentin, një gram ari është duke u tregtuar me 74.14 dollarë.