Kallëzimi penal ndaj Martin Berishajt – LDK kërkon shkarkimin e tij dhe sqarime nga Osmani, Kurti e Gërvalla

Kryetarja e Forumit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku Sadriu ka kërkuar nga institucionet kompetente në Kosovë që ta shkarkojnë ambasadorin e Kosovës në Kroaci pasi Agjencia Anti-Korrupsion sot ka dorëzuar përfundimisht kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë refuzuar të ndërmarrin veprime ndaj Martin Berishaj “pa u verifikuar skandali”.

Lushaku -Sadriu kërkon sqarime nga ta.

Postimi i plote:

Shkarkimi i Ambasadorit Martin Berishaj është domosdoshmëri

Agjensioni Anti-Korrupsion sot ka dorëzuar përfundimisht kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj; mbi faktet shokuese të bëra publike muaj me parë. Kallëzimi penal është përfundim logjik ndaj një skandali të fshehjes së të hyrave prej gjysmë milioni.

Hapja e hetimeve, por edhe përfshierja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rënd imazhin e vendit tonë, rrjedhimisht e bëjnë të pamundur përfaqësimin e shtetit.

Prandaj, deri në përfundimin e rastit në fjalë, kërkojmë shkarkimin e Abasadorit Martin Berishaj; siç dhe kërkojmë sqarimin e secilit zyrtar publik, që në fillet e shpërthimit të këtij skandali, kishin garantuar dhe marrë në mbrojtje ambasadorin në fjalë.