Kalimi i rrezikshëm i urës mbi Lumëbardh, veturat i mban vetëm një llamarinë e hollë

Vetëm një llamarinë e hollë metali dhe e shkëputur nga struktura e urës mban automjetet lart shtratit të Lumëbardhit në urën që tashmë ka mbetur pa njërën anë të mbrojtëses anësore, derisa mbrojtëses në anën tjetër i mjafton shtytje e lehtë që edhe ajo të shkatërrohet.

Në mungesë të mirëmbajtjes ura është degraduar aq sa banorët e fshatrave Rekë e Allagës, Pepaj, Malaj dhe Llutovë nuk ndihen të sigurt derisa kalojnë me automjete mbi të.

“Kjo është një humnerë, një… e palogjikueshme. As në shtetet e luftës kështu nuk ka”, shprehet Besnik Lajçi, banor i Malajt, raporton KOHA.

Lajçi tha se kjo urë është shumë e frekuentuar jo vetëm nga banorët, por edhe nga vizitorët e shumtë në këto fshatra, për të cilët ura është shndërruar në rrezik të madh.

Marrë parasysh gjendjen e urës, banorët s’e kuptojnë se si institucionet komunale dhe ato qendrore nuk i kanë ndarë disa dhjetëra e mijëra euro për ndërtimin edhe të një ure të re.

Shkatërrimit të kësaj ure i kanë ndihmuar edhe makineritë e rënda që kalojnë vazhdimisht mbi të. Inxhinieri i ndërtimtarisë, Hamdi Jusufi çuditet si nuk është intervenuar deri tash, meqë ura nuk ofron siguri.

Për ndërtimin e një ure tjetër në atë vend, deri tash në zyrën komunale të Prokurimit, siç tha menaxheri i kësaj zyre, Xhemë Berisha, nuk iu ka shkuar asnjë kërkesë për shpalljen e ndonjë tenderi.

Deri sivjet për këtë urë nuk është ndarë asnjë cent nga Komuna, e as në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2012-2023 nuk figurojnë mjete të planifikuara për ndërtim.

Mirëpo, siç pohon drejtori i Financave, Jeton Abazaj, Komuna ka planifikuar për vitin e ardhshëm ndërtimin e asaj ure bazuar edhe në kërkesat e banorëve. Abazaj shtoi se janë planifikuar të ndahen 50 mijë euro për ndërtimin e një ure të re nga betoni, shtatë metra e gjerë dhe me dy shirita për qarkullim në të dy drejtimet.