Kalimi i Coutinhos te PSG zhbllokon shumë transferime tjera

Një marrëveshje për Neymarin, që pritet të shkaktojë një efekt domino në merkaton e yjeve të futbollit.

Barcelona dhe PSG, në takimin e së martës kanë treguar qëndrimet e tyre në lidhje me modalitetin e kalimit të sulmuesit brazilian në “Camp Nou”. Katalanët ofrojnë disa lojtarë në shkëmbim, parisienët duan para, por dhe në rastin kur mund të pranojnë shkëmbime, synojnë Coutinhon dhe Semedon, plus një shumë të konsiderueshme.

Por çfarë do të ndodhë nëse në ditët në vijim arrihet marrëveshja dhe Coutinho si pjesë e bisedimeve, shkon në “Parque des Princes”?

Me këtë skenar, kampionët e Francës do të braktisnin përfundimisht pistën “Dybala”, çka do të ishte një lajm i keq për Juventusin, që nuk po arrin t’i gjejë një destinacion sulmuesit argjentinas, për t’u hedhur më pas në sulm për Mauro Icardin. Pa u larguar Dybala, bardhezinjtë nuk mund ta blejnë sulmuesin e Interit. Edhe nëse Mandzukic do të përfundojë, sikurse pritet, te Dortmundi, sepse paratë nuk mjaftojnë për të blerë bashkëshortin e Wanda Naras.

Në këtë pikë, qendërsulmuesi zikaltër do të shihte si zgjidhje të vetme transferimin te Roma. Nga ana e tyre, verdhekuqtë, sikurse njofton Gazzetta dello Sport, të lodhur nga situata e Edin Dzekos (e vlerësojnë 25 milionë euro), që kërkon Interin, do të binin dakord me zikaltërit, ndonëse kohët e fundit ka dalë në skenë emri i Michy Batshuayi, belgut të Chelseat.

Gjithsesi, ekziston ende mundësia, të paktën hipetetikisht, e një shkëmbimi mes Dybalas dhe Icardit. Në këtë rast Dzeko do të qëndronte nën urdhrat e Fonsecas. Që të zhbllokohet merkatoja e yjeve, më parë duhet të mbyllet çështja “Neymar”, me Coutinhon nën urdhrat e Tuchel te PSG. Pas kësaj lëvizjeje, do të ndihej menjëherë efekti domino.

loading…