Kalendar i ngjeshur për Real Madridin, pengesa e parë është Valencia
Pas një viti të gjatë dhe tepër të lodhshëm, ku nuk munguan as sfidat e Kupës së Botës, futbollistët tashmë bëhen gati për të hyrë në muajin e fundit, një muaj vërtet shumë i ngjeshur, sidomos për kampionatet që do të zhvillojnë ndeshje edhe gjatë periudhës festive.
Anglisë këtë herë i është bashkuar edhe Italia, që do të mbyllë fazën e parë pikërisht më datë 29 dhjetor, ndërkaq Spanja i është kthyer programit të mëparshëm duke i dhënë mundësi klubeve që të shplodhen dhe të rekuperojnë energjitë përgjatë një hapësire 2-javore.
Një luks të tillë nuk mund ta ketë Real Madridi që me Valencian nis një periudhë tepër të ngjeshur për shkak edhe të impenjimit për të tretin vit rresht në kampionatin Botëror të klubeve, ku “Los Blancos” do të përballen me fituesin e çiftit Kashima Antlers-Chivas Guadalajara.
Disfata e turpshme me Eibarin i dha fund serisë prej katër fitoresh radhazi, duke e lënë skuadrën “merengues” gjithsesi vetëm gjashtë pikë larg Sevillas, që për momentin kryeson në La Liga.
Me Romën në “Olimpico” ndonëse vuajti ndjeshëm ekipi i Santiago Solarit ia doli mbanë për të garantuar vendin e parë në grup, në Champions League, sidoqoftë skuadra tani ka nevojë për vazhdimësi, për më tepër ndaj një kundërshtari si Valencia, që befas është zgjuar dhe numëron dy fitore radhazi.
Ndeshja do të luhet në orën 20:45 në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ku për hir të së vërtetës Reali ka fituar vetëm 2 nga 7 përballjet e fundit ndërmjet tyre, në kampionatin spanjoll.