Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri kanë pasur për përplasje verbale derisa po debatohet për Projektligjin për Dialog.

Gaxherri ka thënë se kreu i Kuvendit ka pasur dy qëndrime për taksën 100% për produktet serbe. Sipas saj ai njëherë ka thënë se ka qenë personi që ka vënë këtë taksë dhe këto ditët e fundit ka propozuar tërheqjen e saj.

Kjo ka nxitur Veselin të replikojë.

“Gabove. Nëse kam thënë të tërhiqet taksa jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Kuvendit. Më së miri paguhem nga ju. Nëse thoni se kam thënë ashtu, do të flasim sonte në seancë pas miratimit të buxhetit”, është shprehur Veseli.

Deputetja Gaxherri në kundërreplikë, i ka kërkuar Veselit që t’ia bëjë dallimin në mes “të Shfuqizimit të taksës dhe pezullimit të saj”.

“Vakti e hanë kashtën o Kadri. S’po e ndjej për obligim me t’i përseritë çka ke thanë, e dinë edhe kryeministrit”, ka thënë pastaj Gaxherri.

Tutje Veseli ka thënë se do të flasë më pas dhe do të sqarojë në detaje të gjithë ato që i ka thënë. /Ballkani.info/