Bujar Hudhri

“Kadare ia kishte mbushur mendjen Helenës se do ikte i pari”, botuesi i shkrimtarit: E ndjeva se diçka e pakthyeshme kishte ndodhur

Botuesi i veprave të Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri, ka ndarë disa kujtime që ka me shkrimtarin e madh shqiptar që vdiq dje në mëngjes në moshën 88-vjeçare.

Hudhri ka thënë se derisa po e lexonte paragrafin e fundit të dorëshkrimit të librit me kujtime të Heleës, Kadareja ia kishte mbushur mendjen që duhej të ikte i pari.

“Shumë vite më parë, kur lexova paragrafin e fundit të dorëshkrimit të librit me kujtime të Helenës “Kohë e pamjaftueshme”, ku shkruhej se cili do të përcillte tjetrin nga kjo botë, Kadareja ia kishte mbushur mendjen se duhej të ikte i pari. Duhej të mbetesha, shkruante Helena, njëfarë kohe pas tij, ashtu sikundër pas një darke të gëzueshme.”

Pronari i shtëpisë botuese “Onufri” ka thënë se atë ditë ishte i tronditur dhe më pas e thirri në telefon Helenën dhe i kërkoi të fliste me Kadarenë.

Hudhri tregoi se cka kishin folur.

“Nuk mund ta harroj tronditjen e asaj dite. Ishte edhe atëherë një ditë e nxehtë korriku si sot, e megjithatë ndjeva të më përfshinte trishtimi. Hera e parë që lexoja kaq qartë rreshta për vdekjen e Kadaresë sa gati po e besoja vërtet. Formova numrin e telefonit të Helenës. Me një ngut që duket se atë e la paksa të habitur iu luta të ma kalonte pak zotin Kadare t’i flisja. Hë, Bujar, ç’kemi, dëgjova zërin e tij. Ja, përfundova librin e Helenës dhe doja të të dëgjoja zërin. Dhe shtova: sa bukur, ta lexoj këtë paragraf dhe ndërkohë ne mund të flasim bashkë. E përfytyroj tani, kur do të ketë buzëqeshur, me gishtin te tëmthi kur të thoshte për ndokënd, ky është i lojtur. Nuk i duronte sentimentalizmat.”

Hudhri ka shkruar edhe për ditën e djeshme kur Ismail Kadare vdiq dhe shpalosi kujtime tjera me të.

“Por mëngjesin e parë të këtij korriku, për fat të keq, ndërsa nxitonim drejt spitalit me autoambulancë, e ndjeva vërtet se diçka e pakthyeshme kishte ndodhur qysh në apartamentin e tij, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Minutat torturuese te dera e urgjencës, ecejaket e personelit në dhomë, rreth krevatit, pastaj heshtja e mjekëve. Gjithçka mbaroi. Një punonjëse me të bardha që afrohet dhe kërkon ta ndihmoj për të plotësuar skedën e vdekjes: emri, mbiemri, atësia, mëmësia, datëlindja, adresa… Kam pasur një përfytyrim, qysh në fëmijërinë time, që shkrimtarët nuk janë banorë të kësaj toke. Gati tridhjetë vite me Kadarenë, kjo përshtypje, madje, është përforcuar. Ndërsa e prisja në Rinas kur zbriste nga avioni dhe pas një muaji e përcillja, edhe me sy, teksa avioni shndërrohej si një pikë e zezë në qiell. E përsëritur kaq herë, në dhjetëra vite, e përfytyroja vërtet si një zog të qiejve, siç thoshte për Lasgushin. Edhe tani kjo pamje nuk më largohet nga përfytyrimi dhe e kam të fiksuar përjetësisht në mendje. Tani më shumë se kurrë, duke zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore. Ashtu siç shprehej vetë, për sivëllain e tij Martin Camaj: “Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos”.”