Kadaj-Bujupi i kundërpërgjigjet Veselit: Kryeministri u takon qytetarëve, jo qiradhënësve

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi i është kundërpërgjigjur kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, i cili tha se Kosova, s’ka më nevojë për kryeministër me qira.

“Kryeministri u takon qytetarëve, jo qiradhënësve”, ka shkruar deputetja e AAK-së në Facebook.

Veseli dje ka thënë se partia e tij nuk përkrah një qeveri teknike dhe se zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza. Veseli, i cili mban postin e kryetarit të Kuvendit, ka thënë se PDK ia ka dhënë dy herë postin e kryeministrit partive tjera, siç ka thënë ai me qira, dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në këto zgjedhje.

Deputetja Kadaj-Bujupi, ndër tjera ka shkruar se PDK-ja, po bie teposhtë si një avion i prishur.

“Për politikën dhe për funksione të rëndësishme shtetërore, kryetari i PDK-së flet me koncepte të thjeshta biznesi të qiradhënies. Pa ndonjë strukturë të qartë logjike, ai e sheh veten pronar të postit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, përkundër se partia e tij po bie teposhtë si ndonjë avion i prishur. Funksioni më i rëndësishëm institucional nuk i takon ndonjë partie, aq më pak PDK-së. U takon qytetarëve, ashtu siç edhe ka thënë Haradinaj kur e ka paraqitur dorëheqjen e tij”, ka shkruar ajo.

loading…