Ka apo nuk ka zgjedhje të jashtëzakonshme në Veri?

Të mërkurën ka skaduar afati afati i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për aplikimin e kandidatëve për zgjedhjet që planifikohen të mbahen në katër komuna veriore të Kosovës.

Kjo parti ka njoftuar se nuk merr pjesë në zgjedhje. Madje as që ka aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, pavarësisht këshillave të ndërkombëtarëve.

Dushan Radakoviç tha se pa ndonjë marrëveshje të shpejtë politike, është mjaft e sigurt që zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të shtyhen “me shumë gjasa për në qershor”. Ai argumenton se serbët janë larguar edhe nga komisionet komunale zgjedhore dhe se, thjesht, nuk ka kush ta organizojë të gjithë procesin.

Një problem tjetër, sipas tij, është se pa marrëveshje politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës nuk do të ketë ku t’i hapë vendvotimet.

“Pa ndonjë marrëveshje serioze politike dhe pjesëmarrjen e kandidatëve serbë, kam frikë se nuk do të ketë proces zgjedhor”, thotë Radakoviç për Radion Evropa e Lirë.

Deri më tash, praktikë ka qenë që vendvotimet të hapen në institucionet arsimore, por ato në zonat serbe funksionojnë në sistemin serb, kështu që ka mundësi që drejtorët të mos lejojnë që të shfrytëzohen objektet e tyre.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 mars në Ohër, ka thënë se zgjedhjet në veri mund të shtyhen për në qershor.

“Nuk do të flas në emër të Listës Serbe. Thjesht, duhet të flas me ata njerëz. Duhet të shoh nëse [zgjedhjet] duhet të mbahen tani apo në qershor, do të shohim”, ka thënë Vuçiq.

Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës, për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”.

“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Lista Serbe thekson se vendimi për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje është marrë në përputhje me “pikëpamjet e qytetarëve që ajo i përfaqëson me vite”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.

Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka aplikime të reja, por vetëm u janë konfirmuar kandidaturat atyre që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Kjo do të thotë se janë gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

E raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar pasi Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet që do të mbahen në veri të Kosovës.

Cramon kërkoi që ky subjekt politik sa më shpejt ta dorëzojë listën zgjedhore.

“Na vjen keq shumë për refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës. Kërkojmë që të dorëzojë listën e saj zgjedhore pa vonesë. Apel për të gjithë aktorët përkatës Kosovës dhe Serbisë për të demonstruar përkushtim ndaj Marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe Aneksit si me fjalë ashtu edhe me veprime”, ka shkruar Cramon në Tëitter.

Edhe Carsten Meyer-Wiefhausen, zëvendës-shef i misionit të Ambasadës së Gjermanisë në Serbi, tha të mërkurën se pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të parakohshme që do të mbahen në katër komunat në veri të vendit, nuk do të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Meyer-Wiefhausen, siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta” e ka sqaruar se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk është i mundur, nëse listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale nuk janë dorëzuar.

Në një debat të mbajtur në Beograd me temën: “Asgjë në mes – Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, diplomati gjerman deklaroi se “nëse nuk keni zyrtarë, kryetarë komunash, nuk mund të krijoni një asociacion komunash”.

“Pa njerëz në to, nuk keni institucione. Ju duhen ato institucione. Kaq e thjeshtë është”, është shprehur diplomati gjerman, në debatin e organizuar nga Lëvizja Evropiane në Serbi dhe Fondacioni Friedrich Ebert.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në llogarinë e tij në Tëitter, më 23 mars, se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është “shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”.

Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.

Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së rregullisht përmend nëpër raporte se, Lista Serbe e ka “monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”.