Ka 13 vite që nuk ecën, spitali në Prizren merr përsipër operacionin e Orgitos, djaloshit nga Shqipëria

Pak kohë më parë në emisionin BOOM në Rtv Ora u transmetua  rasti i Orgitos, djalit 13 vjeçar  që  prej shume vitesh jeton në karrocë me rrota.  

Fill pas bërjes publike të këtij rasti, Drejtoresha e Spitalit Ortomedica në Prizren, Donjetë Ahmetaj, ka kontaktuar familjen për ti dhënë lajmin e mire se ky spital do të marrë përsiper  operacionin e djalit. 

Jo vetëm kaq por ky spital do të ofrojë një muaj qëndrim dhe fizioterapi falas.

Donjetë Ahmetaj: Linkun e videos që transmetuat ju ma nisën shumë miq dhe me ta parë ja nisa doktorit tonë dhe u zotua se do ta marrë si rast përfshirë operacionin dhe ndërhyrjet kirurgjikale.Janë 18 muskuj që do të preken, edhe disa kocka. 6 javë do të qëndrojë në allçi. Pas allçisë do ti nënshtrohet një terapie intensive që do ta marrim përsipër, për një muaj do ta kemi mysafir dhe do ti bëjmë dy herë në ditë fizioterapi.

Gazetarja e BOOM, Alketa Çeku, së bashku me grupin e xhirimit udhëtoi drejt Prizrenit për të sjellë emocionet e prindërve pas këtij lajmi të mrekullueshëm.

Nëna: Mjeku i ka dhënë shumë shpresa, ishte një mrekulli nga Zoti. Na ka dhënë shpresa që një ditë do të ecë, do të bëhet i zoti i vetes. Është e pabesueshme për ne, një mrekulli. Kur i thashë Orgito do të ngrihesh në këmbë, e kapi doktorin nga duart dhe e ia puthi. Do të hyjë në operacion dhe doktori ndoshta na jep lajme të mira. Thotë që do të ikë me motrën në shkollë.

Babai: Jam shumë i emocionuar. U jemi shumë mirënjohës, falenderoj Presidentin e televizionit Ora Neës për çfarë ka bërë për djalin tim Orgiton.

Po çfarë thotë mjeku turk, Dr. Evren Fehmi Atay, specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë, pa para se të kryente operacionin e Orgitos.

Dr. Evren Fehmi Atay: Po planifikojmë krijimin e mundësisë së baraspeshës, muskujt e mbikontraktuar ti lirojmë ose nëse është e nevojshme ti transferojmë te disa të tjerë që nuk kanë funksion fare. A mjafton vetëm kirurgjia në këtë moment? Jo por janë kolegët tanë fizioterapistë që zotërojnë gjysmën tjetër të barrës. Ndërhyrjet duhen bërë para se të bëhet vonë. Urojmë që edhe te Orgito të shohim këtë gjë. Zoti është gjithmonë pranë të merituarve dhe të mirëve. Besoj që edhe Orgito si një ëngjëll i pafajshëm do të fitojë atë që meriton dhe uroj ta shohim në këmbë.

Dhe fatmirësisht operacioni edhe pse mjaft delikat doli me sukses, tashmë presim rezultatet.