Juventusi e ka ruajtur startin e përkryer në Serie A duke e mundur 2-0 një Milan të pafuqishëm që e mbylli takimin me një lojtar më pak pas përjashtimit të Gonzalo Higuainit të dielën në “San Siro”

Skuadra e Massimiliano Allegrit e regjistroi e 11-të në 12 ndeshjet e para në këtë edicion të kampionatit italian, me Genoan që është skuadra e vetme që i ka marrë pikë, pas barazimit javë më parë.

Vizitorët e nisen furishëm takimin dhe kaluan në epërsi pas vetëm tetë minutave lojë, kur Mario Mandzukic realizoi me kokë nga afërsia pas një harkimi të Alex Sandros.

Sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain humbi mundësinë të shënojë kundër ish-skuadrës, pasi goditjen e tij nga penalltia e priti Szczesny pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë.

Milan pati një pjesë të dytë diçka më të mirë, por nuk pati fuqi të bëjë mjaftueshëm për ta barazuar rezultatin.

Cristiano Ronaldo, që nuk kishte shënuar asnjëherë në “San Siro”, ia doli ta bëjë këtë dhe ta fundosë përfundimisht skuadrën e Gennaro Gattusos.

Portugezi shënoi 10 minuta para fundit duke e tundur rrjetën e Donnarummas me një goditje të fuqishme nga afërsia.

Pak pas golit të tij, Higuain humbi toruan dhe u përjashtua me karton të kuq pasi s’u pajtua dot me vendimin e gjyqtarit për ta ndëshkuar me të verdhë pas një ndërhyrjeje jo sportive.

Juve tani ka plot 34 pikë në vendin e parë, gjashtë më shumë se Napoli në të dytin.

Milani, ndërkohë, mbetet në vendin e pestë me 21 pikë.