Juventusi ka kthyer sytë kah Hazardi

Kampioni i Italisë, Juventusi, ka hedhur sytë kah mesfushori i Real Madridit, Eden Hazard.

Mediumet spanjolle kanë raportuar të hënën, se Juventusi po synon transferimin e Hazardit nëse e shet Paulo Dybalan pas përfundimit të këtij edicioni. Përkundër telasheve që Hazard ka pasur me lëndimet prej se është transferuar te Reali, ai po shihet te Juventusi si përforcim i duhur dhe lojtar ideal për të zëvendësuar Dybalan që nuk po e rinovon kontratën që i skadon në vitin 2022.

Hazard edhe këtë edicion po ka telashe më lëndime dhe deri më tash ka regjistruar vetëm gjashtë paraqitje për madrilenët në të gjitha garat.

Belgu 29-vjeçar, u transferua me bujë te Real Madridi në verën e vitit të shkuar nga Chelsea për 150 milionë euro dëmshpërblim.

Me ekipin spanjoll ka kontratë deri në verën e vitit 2024.