Juventus bën zyrtar vendimin, tërhiqet nga Super League

Ajo që u përfol pak më shumë se një muaj më parë, është bërë zyrtare sot. Juventus ka hequr dorë zyrtarisht nga projekti i Superligës. Klubi torinez me anë të një komunikate për shtyp njofton se është tërhequr.

“Pas njoftimit të datës 6 qershor 2023, me të cilin Juventus njoftoi se kishte filluar një diskutim me Real Madridin dhe Barcelonan, në lidhje me vendimin e propozuar të klubit tonë për të dalë nga Projekti i Superligës, Juventus konfirmon se ka nisur procedurën e daljes nga projekti i sipërpërmendur, duke kujtuar zbatimin e dispozitave kontraktuale në fuqi, me pëlqimin e Realit dhe Barcelonës, por edhe të klubeve të tjera”, shkruhet mes të tjerash në deklaratën e klubit të Juventusit.

Me daljen nga Superliga Evropiane, Juventus shpreson që UEFA të zbusë dënimin dhe ta përjashtojë nga Europa vetëm këtë sezon, që për Zonjën e Vjetër nuk është humbje e madhe mospjesëmarrje në Conference League, me synimin për t’u rikthyer sezonin e ardhshëm të marrë pjesë në Champions League. Tashmë mbetet të shihet vendimi organit më të lartë evropian të futbollit, që dalëngadalë arriti objektivin për të shkrirë projektin e Superligës.