Jusuf Thaçi i pakënaqur me pozitën që sot VV-ja ia dha Kusari-Lilës, ka disa pyetje

Analisti, Jusuf Thaçi ka reaguar pasi Mimoza Kusari-Lila u emërua ushtruese e detyrës së Kryesuesit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Thaçi përmes një postimi në Facebook tha se shef i grupit parlamentar duhet të jetë dikush nga deputetetët që përfaqëson më së miri aspektet themelore identitare të subjektit politik parlamentar.

Tutje Thaçi ka pyetur se cili është mesazhi i VV-së nëse e emëron Kusari-Lilën e cila nuk është as anëtare e kësaj partie dhe e cila ka mospërputhje për gjëra themelore me këtë parti.

Ai tha se me një emërim të tillë VV-ja ose po heq dorë nga identiteti i vet ose nuk ka asnjë deputet tjetër të aftë që e përfaqëson më mirë Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nëse LVV vendos përfundimisht që Shef i grupit parlamentar të LVV-së të bëhet një person që nuk është as anëtar i LVV-së dhe me të cilin (aq sa dimë) ka edhe mospërputhje për gjëra themelore, atëherë cili është mesazhi i këtij vendimi të LVV-së?! 1) LVV po heq dorë nga identiteti i vet?! Apo 2) LVV nuk ka asnjë deputet/e tjetër të aftë e të shkathtë, e/i cila/i e mishëron, e përfaqëson dhe e simbolizon më së miri e më së shumti identitetin e LVV-së, në mënyrë që ai/ajo të zgjidhet Shef i grupit parlamentar të LVV-së”, shkroi Thaçi.