Njohësi i çështjeve juridike, Faton Fetahu, e ka kundërshtuar interpretimin e kryeministrit Albin Kurti se Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk mund të votohet në lexim të dytë pa kaluar 72 orë nga leximi i parë.

Fetahu argumenton se Rregullorja e Kuvendit, përmes nenit 123, lejon shmangien nga afatet procedurale, me kusht që kjo të miratohet nga dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe të respektohet Kushtetuta. Sipas tij, aktgjykimi i Kushtetueses i 9 janarit 2026 nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, por ka kontestuar mënyrën se si ishte përdorur neni 123 në rastin e 5 dhjetorit 2024, kur deputetëve dhe komisioneve u ishte lënë vetëm pak minuta për shqyrtim.

Sipas Fetahut, situata e sotme është ndryshe, pasi projektligji është shpërndarë më 3 tetor dhe leximi i parë është zhvilluar më 5 tetor. Prandaj, ai thotë se, nëse komisioneve u mundësohet shqyrtim real dhe Kuvendi miraton shmangien e afateve, projektligji mund të votohet edhe sot në lexim të dytë.

Në këtë pikë, ekziston edhe interpretim i kundërt juridik, sipas të cilit afati 72-orësh përbën kufi minimal që nuk mund të anashkalohet përmes nenit 123.

Postimi i plotë:

Duke marrë shkas nga deklarata e sotme e Kryeministrit Albin Kurti lidhur me pretendimin se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk mund të shqyrtohet në lexim të dytë pa kaluar 72 orë nga leximi i parë, si dhe nga referimi i tij në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 9 janarit 2026, vlerësoj se një qëndrim i tillë është tërësisht i paqëndrueshëm juridikisht dhe devijon qartazi nga konstatimet që vetë Gjykata Kushtetuese ka dhënë në atë Aktgjykim.

Afati prej 72 orësh buron nga neni 85 i Rregullores së Kuvendit, i cili rregullon institutin e veçantë të procedurës së përshpejtuar. Mirëpo, kjo nuk është rruga e vetme që njeh Rregullorja. Neni 123 përcakton shprehimisht se, me propozim të së paku gjashtë deputetëve dhe me votën e dy të tretave të deputetëve të pranishëm, Kuvendi mund të vendosë për shmangie nga afatet procedurale. Pikërisht ky institut mund të zbatohet për fazën e shqyrtimit të dytë të këtij Projektligji.

Edhe referimi në ligjet e miratuara më 5 dhjetor 2024 është juridikisht i pasaktë. Si avokat i autorizuar i PDK-së në procedurat kushtetuese ndaj atyre ligjeve, theksoj se Gjykata Kushtetuese nuk i shpalli ato jokushtetuese për shkak se Kuvendi nuk kishte zbatuar procedurën e përshpejtuar të nenit 85. Përkundrazi, Gjykata konstatoi se nenet 85 dhe 86 nuk ishin aplikuar dhe se shumica parlamentare kishte keqpërdorur pikërisht nenin 123 për shmangien nga afatet.

Ajo që Gjykata sanksionoi ishte mënyra se si ishte zbatuar neni 123. Ligjet e 5 dhjetorit u proceduan në dy lexime brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër, me vetëm 5 deri në 10 minuta për faza të veçanta të punës së komisioneve dhe me 20 deri në 45 minuta ndërmjet fazave të procedurës. Në atë mënyrë deputetëve, komisioneve parlamentare dhe vetë Kuvendit iu pamundësua shqyrtimi real dhe efektiv i projektligjeve. Gjykata nuk e kontestoi ekzistencën e nenit 123, por ajo kontestoi zbatimin e tij në një mënyrë që e zbrazte procedurën parlamentare nga përmbajtja e saj kushtetuese.

Situata e sotme është thelbësisht tjetër. Materialet e Projektligjit për Dhomat e Specializuara u janë shpërndarë deputetëve të shtunën, më 3 tetor 2026, ndërsa leximi i parë është zhvilluar dhe përfunduar të hënën, më 5 tetor. Deputetët kanë pasur rreth 48 orë për shqyrtimin e materialit para leximit të parë, ndërsa sot kërkohet vetëm zhvillimi i fazës që çon në leximin e dytë.

Prandaj, nëse Kuvendi sot miraton shmangien sipas nenit 123 dhe u siguron deputetëve dhe komisioneve kohë reale për paraqitjen e amendamenteve, shqyrtimin në komisionin përgjegjës, vlerësimin nga komisionet përkatëse dhe përgatitjen e raportit për seancë, nuk ekziston pengesë juridike që Projektligji të shqyrtohet dhe të votohet në lexim të dytë edhe sot.

Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur se ndërmjet dy leximeve duhet të kalojnë domosdoshmërisht 72 orë në çdo rrethanë. Ky afat i përket nenit 85. Ndërkaq, neni 123 ekziston pikërisht për t’i mundësuar Kuvendit shmangien nga afatet procedurale, me kusht që të ruhet shqyrtimi efektiv parlamentar.

Për këtë arsye, analogjia me 13 ligjet e shpallura jokushtetuese është e pabazuar. Atje u cenua procesi parlamentar duke i reduktuar dy leximet dhe punën e komisioneve në disa minuta. Këtu leximi i parë është përfunduar dje, materialet janë në dispozicion të deputetëve që nga e shtuna dhe ekziston kohë efektive që komisionet ta kryejnë shqyrtimin e tyre gjatë ditës.

Në aspektin juridik, pra, nuk ekziston detyrim që të pritet deri të enjten. Projektligji mund të shqyrtohet në lexim të dytë edhe sot, nëse ekziston vullneti parlamentar për ta zbatuar nenin 123 në përputhje me standardin që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese.