Me tre fitore, dy barazime dhe 7 humbje në 12 javët e para, që e rendisin në vendin e 15-të me vetëm 11 pikë, Hertha e Berlinit ka vendosur të shkarkojë trajnerin Ante Covic.
Vendimi erdhi pas humbjes së thellë 0-4 në udhëtim ndaj Augsburgut, që ishte e katërta radhazi për berlinezët, të cilët nxituan për të gjetur menjëherë edhe trajnerin e ri.
Kështu në pankinë do të ulet ish ylli i futbollit gjerman, Jurgen Klinsmann, i cili ka nënshkruar një kontratë deri në fund të sezonit me skuadrën e Herthës, me opsion rinovimi për një tjetër sezon.
Klinsmann si futbollist ka luajtur për skuadra të mëdha si Interi, Bayerni, Tottenhami e Monaco, ndërsa si trajner ka drejtuar gjigantët bavarezë, Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.







