Joshua e pranon se është afër fundit të karrierës

Anthony Joshua ka thënë se ai është duke iu afruar fundit të karrierës së tij si boksier dhe e ka përshkruar vetën e tij si një plak para rikthimit të tij ring.

Joshua nuk ka boksuar që prej humbjes së tij të dytë radhazi kundër Oleksandr Usyk në gusht, pasi që kishte humbur titujt e WBA, WBO dhe IBF ndaj boksierit ukrainas në shtatorin e vitit të kaluar, raporton KosovaPress.

Joshua, i cili po shpreson që t’i rikthehet ringut në pranverë, tha se ai duhet të punojë shumë në vitet e tij të fundit si boksier. Sidoqoftë, ai e ka pranuar se ai po shikon që të shpenzojë më shumë kohë me familjen e tij pasi që të pensionohet.

Duke folur për “GiveMeSport”, Joshua tha:

“Jam i hutuar, jam plakur, ku iku koha? Kështu që unë e shikoj gjithmonë sikur nuk jam në fillim të karrierës sime dhe nuk jam në mes, jam në fund. Kështu që koha ka kaluar shpejt, duhet të sigurohem që tani të bëj më shumë punë që kam bërë ndonjëherë dhe t’i bëj këto vitet e fundit të numërohen. Arritja ime më e madhe nuk është arritur ende. Do të jetë kur të dal në anën tjetër të lojës luftarake”.

“Unë personalisht kam menduar gjithmonë se unë me siguri do të qaj kur boksi të përfundojë, sepse unë kam dhënë shumë për të brenda dhe jashtë ringut. Sikurse ju që punoni shumë në punën tuaj, ju zgjoheni, sakrifikoni, jeni të lodhur ndonjëherë, të gjitha këto lloj gjërash, të gjithë kalojmë nëpër to”, shtoi më tej Joshua.

Ka shumë luftëra që tifozët dëshirojnë t’i shohin para se Joshua t’i dhe fund karrierës së tij. Veçse po kërkohet përballje me rivalët e tij më të mëdhenj, Deontay Wilder dhe Tyson Fury para se Joshua të pensionohet.