Joserioziteti i zëvendësve të Kurtit| Gërvalla e Bislimi me qëndrime të ndryshme rreth kushtëzimit të liberalizimit të vizave

Nuk ka çfarë emri t’i vihet tjetër, përveçse Qeveri joserioze.

Përderisa kryeministri Albin Kurti mbrëmjen kur u raportua se Franca i ka vënë një kusht të ri Kosovës për liberalizimin e vizave po e kalon duke shikuar një ndeshje futbolli, dy zëvendësit e tij Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, po e konfuzojnë popullin me qëndrime të ndryshme, shkruan Demokracia.com.

Përderisa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka pranuar se Kosovës i janë vënë kushte, Gërvalla ka dalë me një deklaratë më ndryshe, duke thënë se nuk ka ndonjë pengesë në këtë drejtim.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pranuar se disa shtete në grupin e punës për vizat të Këshillit të Evropës kanë kërkuar që liberalizimin e vizave për Kosovën ta lidhin me disa elemente të tjera, sipas tyre teknike, por që për Kosovën cilësohen si kushte të reja.

Bislimi i ftuar në emisionin “Context” në ATV, tha se edhe vetë Bashkimi Evropian e di që ka një dakordim për të mos pasur kushte shtesë përtej atyre 95 kritereve të cilat Kosova i ka përmbushur.

“Raportime që kemi ne nga brenda tregojnë që nuk ka pasur absolutisht asnjë shtet që ka shprehur hezitime ose kundërshtime për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vetëm se kemi tri lloje të qëndrimeve, i kemi vendet të cilat pa asnjë rezervë e kanë përkrahur liberalizmin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, kemi shtete të cilat për arsye të dinamikave politike nuk kanë mundur të japin qëndrim zyrtar, sepse janë në mandat teknik, si Italia, Suedia dhe Danimarka. Dhe janë një pakicë që nuk e kundërshtojnë, por dëshirojnë që ta lidhin me disa elemente të tjera që për ne janë kushte apo kritere të reja, që ata pretendojnë se janë teknikalitete, por për ne janë kushte të reja”, tha Bislimi.

Bislimi e pranoi se ka tendenca për ta lidhur liberalizimin e vizave me sistemin ETIAS.

“Kushti kryesor është që liberalizmi të hyjë në fuqi kur BE fillon ta funksionalizojë sistemin ETIAS, i cili përdoret për identifikimin apo regjistrimin e personave që udhëtojnë drejt BE nga ato vende të cilat e kanë marrë regjimin e lirë të vizave. Mirëpo, duke qenë se ky është proces teknik dhe nuk dihet data se kur mund të fillojë, edhe BE vetë është kundër kësaj, meqë duket si kusht shtesë dhe ka një dakordim që nuk do të ketë kushte shtesë dhe nuk mund të lidhet një mendim politik me një kriter teknik, i cili nuk dihet se kur mund të fillojë”, tha Bislimi.

Mirëpo, duket se Franca nuk ka pasur vetëm një kërkesë, pasi që Bilsimi tha se është kërkuar edhe harmonizimi i sistemit të vizave me atë të Bashkimit Evropian.

“Elementi i dytë që është diskutuar ka të bëjë me harmonizimin e sistemit kosovar të vizave me të Bashkimi Evropian. Ka një sërë shtetesh të cilat e gëzojnë regjimin e lirë në Kosovë, por që janë me regjim të vizave me BE. Ka një kërkesë nga Franca që Kosova ta harmonizojë këtë sistem me atë të BE-së. Po flasim për 18 shtete sosh, por edhe ky qëndrim nuk është se ka marrë miratim apo aprovim për shkak se asnjë nga këto 18 shtete, asnjëri prej tyre nuk është në mesin e 30 shteteve që kanë numrin më të madh të emigrantëve në BE dhe për shkak se një sistem apo harmonizim i tillë nuk ekziston në vendet rreth Kosovës”, vijoi Bislimi.

Ai tha se më 9 nëntor do të mbahet takimi i radhës, ndërsa deri atëherë do të përdorin kanalet diplomatike për të diskutuar me këto shtete të cilat kanë shprehur kritere të reja.

Kurse, Gërvalla ka thënë se takimi ishte përkrahës dhe pozitiv.

“Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”, tha ajo derisa paralajmëroi se diskutimet vazhdojnë.

Gërvalla e përshëndeti vendosjen në agjendë të vizave në Këshill, për herë të parë në këtë formë.

“Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh”, tha ajo. /Demokracia.com/