Edward P. Joseph

Joseph: Pas 24 shtatorit, Vuçiq e ka përshkallëzuar edhe më shumë situatën

Në një intervistë për Radio Televizionin Publik të Kosovës, Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, ka bërë një analizë të situatës pas sulmit paraushtarak dhe terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit nga Serbia përmes një grupi paramilitar prej qindra personash. Eksperti i menaxhimit të konflikteve shprehu shqetësimin e tij në lidhje me lëvizjet e presidentit Vuçiq pas 24 shtatorit. Ai theksoi se veprimet e tij duket se po e çojnë situatën në një rrugë më të tensionuar.

Shpallja e zisë treditore për terroristët e vrarë, gjuha e ashpër ndaj kryeministrit Kurtit dhe dërgimi i armëve në kufirin me Kosovën janë veprime që, sipas tij, reflektojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës nga presidenti Vuçiq.

“Ne e dimë tashmë se çfarë bëri presidenti Vuçiq pas 24 shtatorit, dhe po pyes nëse lëvizjet e Vuçiqit janë përshkallëzim në vend të qetësimit. Vuçiq e ka përshkallëzuar edhe më shumë situatën. Edhe Kisha Ortodokse Serbe ishte distancuar, duke shprehur ngushëllimet e saj me rastin e policit të vrarë. Por shpallja e zisë treditore, gjuhë e ashpër nxitëse ndaj Albin Kurtit në mediat serbe, dërgimi i armëve në kufirin me Kosovën, ky është një përshkallëzim i qartë i Aleksandër Vuçiqit, i cili menjëherë pas Banjskës u takua me ambasadorin rus”, tha ai.

Në kuadër të agresionit serb në Banjskë që rezultoi të ishte plan i ankesimit të plotë të veriut, Jozeph theksoi nëvojën për një diplomaci të fortë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Besoj se është thelbësore të përfitohet nga kjo situatë me kërcënime me sanksione dhe faktin që presidenti Vuçiq është në defansiv. E rikujtoj se BE-ja e quajti atë një sulm terrorist. Kjo do të thotë se Vuçiq tani është në një pozitë të cenueshme. BE-ja dhe SHBA-ja duhet të përfitojnë nga kjo dhe t’u paraqesin palëve një dokument ‘merre ose lëre’, me zbatim të qartë, duke përfshirë hapat që duhet të ndërmarrë Beogradi, në mënyrë që zbatimi të jetë i barabartë”, u shpreh Joseph.

Kujtojmë se kur kanë kaluar rreth 3 javë nga sulmi në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, Policia e Kosovës ende po vazhdon të sekuestrojë arsenal armësh që kishin lidhje me sulmin e planifikuar më 24 shtator.

Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, etj, janë sekuestruar së fundi në lokacionet e bastisura nga Policia e Kosovës, për të cilat ministri Sveçla tha se ishin “prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan”.

“Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë.” – tha Sveçla në Facebook.