Mirel Josa është shprehur i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij, Prishtinës, ndaj Llapit.
Trajneri bardhekaltër foli për ndryshimet që ai i bëri në formacion dhe të cilat i sollën fitoren në fund.
“Ndryshimet në formacion i bëra sepse na duhej më shumë prezencë në zonën kundërshtare, ideja ishte se Khalid ka shumë forcë, por nuk e ka cilësinë që ne e kërkojmë dhe na duhej kombinim i fuqisë së tij me cilësinë e pasimeve të Marios. Goli edhe mund të mos shënohej dhe ne do të flisnim ndryshe e sidoqoftë, vazhdojmë punën tonë sepse i kemi edhe dy ndeshje shumë të vështira dhe duhet të sigurohemi që krijojmë përparësi”, u shpreh Josa.
Tutje, trajneri i Prishtinës theksoi e Llapi ishte skuadër e kapitulluar në pjesën e dytë.
“Ekipi ka qenë shumë i tensionuar edhe para ndeshjes, sa ka qenë në hotel sepse kishim përballë një ekip, të cilin e vlerësoj shumë dhe ka lojtarë me shumë përvojë, por në pjesën e dytë kishim probleme me saktësi të pasimeve gjë që në pjesën e dytë funksionoi më mirë. E pamë që kundërshtari në pjesën e dytë ishte i kapitulluar”, shtoi tutje trajneri bardhekaltër.
Prishtina me fitoren ndaj Llapit ka 72 pikë në renditje, dy më shumë se llapjanët dhe dy më pak se Feronikeli që prinë.







