Nga Napoli te Chelsea, pastaj te Juventusi. Identikiti është lehtë për t’u gjetur: Maurizio Sarri, për më pak se një javë trajneri i ri i Juventusit. Tashmë pyetja që shtrohet është e tillë: kush do ta ndjekë pas trajnerin 60-vjeçar?

Më besniku për të ka qenë Jorginho. Menaxheri i lojtarit në fjalë nuk e mohon mundësinë e shkuarjes në Torino të italio-brazilianit, nëse Sarri ka nevojë për të.

João Santos, duke folur në stacionin radiofonik “Kiss Kiss Napoli”, pranon se klienti i tij mund t’i bashkohet Juventusit. Pa harruar, natyrisht, se në atë pozicion, “Zonja e Vjetër” e ka tashmë një emër të madh, si Miralem Pjanic.

“E kam thënë edhe para dy ditësh. Për momentin nuk kemi pasur kontakte, por Sarri ka nevojë për një lojtar si Jorginho, për stilin e tij të lojës. Nuk e di se cilat janë strategjitë e Juventusit, kështu që do të shohim”.

Sarri sapo ka arritur te kampionët e Italisë, kështu që do të vendosë në bashkëpunim me Paratici për merkaton. A do ta ndjekë Jorginho mentorin e tij edhe në Torino? Mbetet të shihet, por i njëjti Joao Santos, disa ditë më pare nuk i kishte mbyllur këto dyer.

“Një profesionist nuk mund të thotë që nuk shkoj te Juventusi, sepse më parë paska luajtur te Napoli”.