Jordi Alba mohon të ketë patur ndonjë problem me Luis Enriquen

Jordi Alba ka pasur fjalë pozitive për përzgjedhësin e Spanjës, Luis Enrique pas ftesës që ky i fundit i dërgoi mbrojtësit të Barcelonës për ndeshjet me Kroacinë në Nations League dhe takimin miqësor me Bosnjën.

Luis Enrique u emërua përzgjedhës i Spanjës në korrik të këtij viti ndërsa e la jashtë Alban për dy grumbullimet e muajit shtator dhe tetor.

Megjithatë 29 vjeçari i ka hedhur poshtë spekulimet se ka mosmarrëveshje me ish trajnerin e tij te Barcelona, me dyshen që punuan bashkë në “Camp Nou” për 3 vite.

“Gjithmonë është kënaqësi të ftohem nga kombëtarja, por këtë herë edhe më shumë. Nuk kam probleme apo çfarëdo qoftë me Luis Enriquen, ai më ndihmoi shumë te Barcelona dhe nuk njoh dikënd që mund të thotë diçka negative për të. Nuk kam pasur kurrë problem me të, ne e njohim njëri-tjetrin dhe duhet të përfitojmë nga ky fakt”, theksoi Alba.

Jordi Alba ka zhvilluar 17 ndeshje këtë sezon ndërsa ka realizuar 2 gola dhe ka dhënë 8 asiste.