Kapiteni i ri i Atletico Madridit i graduar pas largimit të Diego Godin te Interi, mesfushori spanjoll Koke ka thurur elozhe për yllin e ri të “Los Colchoneros”, Joao Felix i cili u bë blerja më e shtrenjtë e klubit bardhekuq pasi i kushtoi arkave të Atleticos plot 126 milionë euro.

Në vetëm pak kohë Joao Felix me cilësitë e tij ka mahnitur edhe një lojtar si Koke i cili e ka ngritur në qiell talentin portugez.

“Është një futbollist fantastik, është vetëm një djalosh por që në këtë moment mund të konsiderohet një futbollist i madh. Mund të rritet shumë në të gjitha aspektet, zotëron një talent të jashtëzakonshëm dhe jam i sigurtë se do të bëhet një nga lojtarët më të mirë në botë. Për këtë arsye paguam një shifër të tillë për kartonin e tij. Mendoj se ngadalë Joao Felix do të tregojë të gjitha cilësitë e tij”, deklaroi Koke.