Tjetër përforcim për Borussia Dortmund. Pasi rikthyen Jadon Sanchon në “Signal Iduna Park”, nënkampionët e Gjermanisë kanë siguruar edhe shërbimet e Ian Maatsen.
21-vjeçari holandez, një anësor modern i krahut të majtë, zbarkon në Bundesliga në huazim deri në fundin e sezonit nga anglezët e Chelseat.
Maatsen pritet të përfitojë minuta tek ekipi verdhezi, ndërkohë që u shfaq tepër i lumtur për këtë aventurë të re në karrierë.
“Borussia bëri gjithçka për të më patur mua. E ndjek prej kohësh këtë skuadër dhe tifozët e saj të mrekullueshëm.
Jam shumë i lumtur për ardhjen time këtu. Premtoj se do të jap gjithçka për të ndihmuar skuadrën në realizimin e objektivave.
Mezi po pres të admiroj nga afër murin e verdhë”, u shpreh holandezi duke iu referuar tribunës unike të tifozëve të Dortmundit. /Ballkani.info








