Milan do të presë në “San Siro” Interin këtë të diel për derbin e famshëm të “La Madoninna”, mirëpo dy skuadrat e Milanos po përplasen edhe në merkato.
Strategjia e të dy klubeve është që të investojnë tek lojtarët e rinj, kryesisht ato nga vendi i tyre, Italia.
Janë katër emra të nxehtë që ndezin merkaton akoma pa ardhur vera.
Sandro Tonali – Mesfushori po shkëlqen në Serie B me Brescian dhe shikohet si Pirlo i ardhshëm i Itali, si një ndër qendërmesfushorët më të mirë. Vetëm 18 vjeç dhe ka luajtur 26 nga 26 ndeshje në kampionat këtë sezon. Kartoni i tij në “Transfermarkt” vlerësohet mbi 15 milionë euro.
Nicolo Barella – Inter ka zhvilluar disa kontakte me përfaqësuesit e lojtarit dhe marrëdhëniet e mira mes klubit zikaltër dhe presidentit të Cagliari janë një avantazh i lehtë. Për mesfushorin e talentuar klubi kërkon të paktën 50 milionë euro, por nëse një klub jep 35-40 milionë “cash” atëherë shërbimet e 22-vjeçarit i siguron menjëherë. Talenti ka luajtur në të gjitha ndeshjet në Serie A këtë sezon dhe Milan vijon të jetë në garë për të marrë shërbimet e tij.
Federico Chiesa – Objektivi më i nxehtë është sulmuesi i Fiorentinas, për të cilin klubi violë kërkon të paktën 70 milionë euro. Leonardo ka kohë që po përpiqet të gjejë një formulë për të bindur klubin nga Firence, ndërsa Marotta ka zhvilluar një takim me babanë e lojtarit. Situata për të mbetet e nxehtë sepse ka interes edhe nga klube të tjera të mëdha, edhe jashtë Italie.
Joachim Andersen – Qendërmbrojtësi danez zgjoi interes të fortë tek Inter dhe tentuan ta marrin që në janar, pasi 22-vjeçari duket qartë se është një Skriniar i ri dhe nuk duan ta humbin si mundësi. Gjithsesi akordi me Diego Godin, ka bërë që zikaltrit të marrin një kthesë tjetër. Në anën tjetër Milan po konsideron të gjejë një zëvendës të Christian Zapata dhe Andersen është në objektivin e tyre prej disa javësh, kartoni i të cilit vlerësohet në 25 milionë euro.







