‘JO’ marrëveshjes pa njohjen reciproke brenda| Çfarë kushtesh kanë partitë opozitare?

Opozita ka hedhur kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili po i ndërron qëndrimet karshi Serbisë. Pas pranimit të planit franko-gjerman, nga opozita kanë hedhur kritika ndaj kreut të ekzekutivit kosovar. Partitë opozitare kanë thënë se Kosovës nuk i duhet një plan që brenda nuk e ka njohjen reciproke. Ndërkaq, analistët presin që së shpejti të ketë marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve.

Mungesë të transparencës nga ekzekutivi i vendit e kanë cilësuar partitë opozitare, rrjedhën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Deputetët e opozitës kanë hedhur kritika ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pasi ai ka deklaruar se e pranon planin franko-gjerman.

Por, nga opozita kanë thënë se ata nuk kanë asnjë informatë për përmbajtjen e këtij plani, derisa e kanë akuzuar shefin e ekzekutivin se vazhdimisht po i ndryshon qëndrimet karshi Serbisë.

Ata kanë thënë se një plan i tillë nuk duhet të pranohet nga Kosova, pasi ai nuk e ka njohjen reciproke brenda.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka thënë se Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk përmban njohjen.

“Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale. LDK, po ashtu, kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin”, deklaroi Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkaq, pas pranimit të planit franko-gjerman, njohës ttë zhvillimeve politike presin që Kosova dhe Serbia së shpejti të arrijnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

Madje, ata thonë se në këtë marrëveshje do të përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pranimi i planit franko-gjerman dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë kërkesa e vazhdueshme që faktori ndërkombëtar ka bërë ndaj Kosovës, kohëve të fundit.

Për këtë, që nga fillimi i këtij viti, një mori vizitash janë zhvilluar në Kosovë dhe në Serbi nga zyrtarë të lartë të shtetit amerikanë dhe emisarë evropianë./gazeta10