Jeremiq publikon foto të Bagdadit në flakë duke mashtruar se është Beogradi, e nxjerr blof analisti evropian

Vuk Jeremiq, lideri i Partisë Popullore opozitare dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, ka publikuar një sërë deklaratash në Twitter me rastin e 24-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi ish Jugosllavinë, por profesori i Universitetit të Gracit dhe analisti i njohur, Florian Bieber i ka bërë menjëherë një vërejtje.

“Ata që duan të relativizojnë agresionin e NATO-s në vitin 1999 thonë se gjoja ishte drejtuar kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit, dhe jo kundër Serbisë dhe popullit të saj. Ai pretendim ra në ujë në vitin 2008, kur ata përkrahën shpalljen e njëanshme të pavarësisë në Prishtinë…”, ka shkruar Jeremiq në fillim të postimeve  dhe ka publikuar foton e parë.

Më pas ai ka vazhduar të postojë dhe ka publikuar disa foto të tjera.

Mirëpo, Bieber u përgjigj se fotoja e parë me të cilën Jeremiq filloi postimet ishte një foto e Bagdadit, për të cilën Jeremiqi u përgjigj se do ta kuptonte si kundërshtimin e vetëm që ka për postimet e tij dhe se ishte një gabim i paqëllimshëm.