Xhavit Jashari

Jashari e kritikon Gjykatën Speciale: Nesër mund t’ia mësyjë edhe familjes së Adem Jasharit

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve ka reaguar pas bastisjes që Specialja ka kryer në shtëpinë e Bahri e Fahri Fazliut, duke theksuar se është e tronditur nga zhvillimet e sotme.

Në reagim është thënë se po shkelet mbi idealet e brezave të tërë të veprimtarëve të lirisë.

“(Bastisja) i ka tronditur të gjithë njerëzit normal të këtij vendi, për faktin se kjo Gjykatë Speciale që i thonë e Kosovës, ka prekur atje ku nuk duron më asnjë popull. Ka prekur mbi gjakun e derdhur për çlirim dhe liri kombëtare. Sot kanë bastisur familjen e heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, Fahri dhe Bahri Fazliu, kurse nesër mund t’ia mësyjnë edhe Familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari. Ngase, kjo Gjykatë Speciale jo vetëm po e nëpërkëmbë Luftën e Ushtrisë Çlirimtare, duke burgosur të gjithë ata që ishin në vijën e parë të frontit për çlirim dhe liri, por ka zënë e po e nëpërkëmbë edhe gjakun e Dëshmorëve të Kombit”, është theksuar në reagim.

Shoqata e cila drejtohet nga Xhavit Jashari ka kritikuar edhe qeverinë për mos reagim lidhur me këtë ngjarje.

“Në një shtet si Kosova, sa duket edhe mund të ndodhin bastisje të këtilla, kurdo që i teket dhe kurdo që i bie ndërmend një Gjykatë të këtillë, që i thonë e Kosovës, por që selinë e ka në Hagë dhe ku asnjë shenjë të Kosovës si shtet nuk e ka në strukturën e punës së saj. Kurse qeveritarët tanë, që nuk pushojnë duke marrë nëpër gojë të gjitha nivelet e drejtësie në Kosovë, deri edhe Gjykatën Kushtetuese, nuk e thonë një fjalë, qoftë si propagandë për veshët e popullit, që është mësuar me logjikën e nëpërkëmbjes së vlerave të Luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është thënë nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.

Mëngjesin e së martës Specialja ka bastisur banesën e familjarëve të dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu në Prishtinë.

Familjarët kanë thënë se e njëjta ka shërbyer si bazë e UÇK-së deri në përfundim të luftës.