Japonia do të ngrijë asetet financiare të presidentit rus, Vladimir Putin dhe zyrtarëve të tjerë kyç të qeverisë, pas pushtimit rus të Ukrainës.
Kështu ka deklaruar kryeministri japonez, Kishida Fumio, sipas transmetuesit publik japonez NHK.
Kryeministri Fumio tha se veprimet e Rusisë janë një shkelje e ligjit ndërkombëtar që Japonia dënon fuqishëm.
Ai tha poashtu se një përgjigje e bashkuar ishte e nevojshme për të mbrojtur rendin ndërkombëtar, transmeton lajmi.net.
Kryeministri Fumio tha poashtu se “Japonia do t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane në bllokimin e bankave të zgjedhura ruse nga rrjeti ndërkombëtar i pagesave “Swift”.
Sipas tij, Japonia do të sigurojë një ndihmë humanitare shtesë prej 100 milionë dollarëve për popullin e Ukrainës, përveç premtimit paraprak në vlerë rreth 100 milionë dollarëve.
Swift është rrjeti i sigurisë së lartë që lidh mijëra institucione financiare në mbarë botën.







