Januzaj thotë se Sociedadi nuk u frikësohet përballjeve me Mancheter Unitedin

Adnan Januzaj do të kthehet te skuadra ku u zhvillua, Manchester Unitedi. Te gjiganti anglez, reprezentuesi i Belgjikës kthehet me Real Sociedadin, për të zhvilluar ndeshjen e 1/16 të finales të Ligës së Evropës.

Shorti i tërhequr të hënën ka përcaktuar që lideri i La Ligas spanjolle, Real Sociedad, të takohet me Manchester Unitedin. Ndeshja e parë do të luhet në San Sebastian më 18 shkurt, ndërsa ajo e kthimit më 25 shkurt në Manchester.

Januzaj kishte bërë emër te Unitedi, por zhvillimi i tij kishte stagnuar në një fazë. Pasi kërkoi shkëlqimin në disa skuadra të tjera, ai u stabilizua te Sociedadi. Te Sociedadi po shfaq vlera, ndonëse jo rregullisht po luan.

Januzaj ka thënë se te Sociedadi nuk i frikësohen asnjë kundërshtari. Pra, as Manchester Unitedit. Ai pret ndeshje të vështira ndaj Unitedit. Januzaj ka thënë se do të kthehet në “shtëpi” për ndeshjen ndaj Manchester Unitedit, klub te i cili është rritur. Por ka thënë se zemra e tij aktualisht është te Real Sociedadi.

“Ne jemi shumë mirë, po luajmë shumë mirë. Kemi ekip të ri, por me shumë kualitet. Tani e kemi David Silvan, që na sjell më shumë maturi në lojë. Ne po ashtu e kemi Nacho Monrealin, pra lojtarë që kanë luajtur në Premier League në të kaluarën. Do të jenë ndeshje të vështira për ata e për ne”, ka thënë Januzaj për mediat spanjolle, të afërta me Sociedadin.

25-vjeçari që luan në krah, ka paralajmëruar se Sociedadi do të ketë qasje të zakonshme. Sociedadi ka luajtur ndeshje të mëdha me rivalë si Real Madridi, Barcelona e Napoli.

“Ne gjithnjë e kemi topin. Nuk i frikësohemi askujt dhe e dimë që kemi shumë kualitet në ekip”, ka shtuar Januzaj.

Januzaj si 16-vjeçar dhe si talent shumë i madh i ishte bashkuar Manchester Unitedit nga Anderlechti. U zhvillua me sukses dhe depërtoi në ekipin e parë të Unitedit. Ka pasur ndeshje të mëdha për skuadrën e famshme, por në gusht të vitit 2015 u huazua te Borussia Dortmundi, për të luajtur rregullisht. U kthye menjëherë në janar 2016, pasi te skuadra gjermane nuk luajti shumë.

Në verë të vitit 2016, Januzaj u huazua te Sunderlandi. Pasi nuk siguroi vend te Unitedi, në verën e vitit 2017, firmosi për pesë vjet me Real Sociedadin. Fillimin në Spanjë nuk e kishte të lehtë, por me kohë u stabilizua. Këtë edicion ka pesë ndeshje në Ligën e Evropës dhe tetë në La Liga. Në kampionatin spanjoll ka dy gola e një asistim.

“Secili ish-lojtar i Unitedit gjithnjë dëshiron të luajë mirë ndaj ish-skuadrës. Adnani ka filluar të paraqitet mirë atje, kështu që ai dhe David Silva do të duan të luajnë mirë. Sociedadi ka përfituar nga starti jo i mirë i Barcelonës dhe Real Madridit dhe unë mund të them se është short jo i mirë për ne. Adnani do të mundohet të shfaqë maturinë e tij tani, pasi u transferua te Sociedadi, skuadër që udhëheq në Spanjë”, ka thënë ish-futbollisti i Unitedit, Wes Brown. Ai ka analizuar shortin për faqen zyrtare të Unitedit.

Manchester Unitedi ka publikuar një shkrim për Januzajn dhe kthimin e tij në Old Trafford.

“Gjatë kohës së tij në La Liga, Januzaj është bërë i rregullt te Real Sociedadi dhe ka bërë mbi 100 paraqitje për klubin. Ashtu siç e dimë nga koha e tij në Old Trafford, ai mund të shpërthejë nga krahu i majtë në mënyrë shkatërruese”, ka shkruar Unitedi.