Adnan Januzaj mendon se kishte kualitet të mjaftueshëm që të luante te Manchester United por trajneri portguez Jose Mourinho nuk i dha mundësi.
23 vjeçari kishte debutuar te “Djajtë e Kuq” në vitin 2013 ndërsa i pati shënuar 2 golat e parë me fanellën e Unitedit në fitoren 1-2 ndaj Sunderlandit në kohën kur skuadra drejtohej nga David Moyes.
Sidoqoftë anësori nga Istogu që aktivizohet te kombëtarja e Belgjikës nuk arriti t’i arsyetojë pritshmëritë e mëdha ndaj tij teksa në vitin 2017 u largua përfundimisht drejt Real Sociedadit në La Liga.
“Mua nuk mu dha mundësia të luaja sepse Mourinho dëshironte lojtarë me eksperiencë. Nuk ishte problem për mua, u desh të largohesha dhe tani jam i lumtur në Spanjë ku po e bëjë dallimin. Gjithmonë e kam ditur se kam kualitetin e mjaftueshëm për të luajtur te United, jam i vetëdijëshëm për kualitetin tim. Nuk mu dha mundësia por tani jam i lumtur në Spanjë ku po e shijoj futbollin”, tregoi Januzaj.
Januzaj shpreson që Manchester United të del nga situata negative që po kalon për momentin me 12 pikë më pak se City që është lider.
Adnan Januzaj është ftuar nga përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez për ndeshjet që “Djajtë e Kuq” i zhvillojnë në Nations League ndaj Islandës dhe Zvicrës.







