“Jam i sëmurë me diabet”, Fredi Beleri kërkon mjekim para gjyqit, miku i tij përfundon në spital

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” në Himarë që u arrestua ditën e djeshme, Fredi Beleri pritet të dalë sot para gjyqit për tu njohur me masën e sigurisë.

Beleri është arrestuar pak pas mesnate para lokalit të tij bashkë me një person tjetër. Forca të shumta policie morën pjesë në prangosjen e tij, që u bë me urdhër të SPAK. Vetë Beleri dhe të tjerët, kanë mohuar që të jenë përfshirë në shkelje të tilla, si blerja e votave.

Mësohet se Fredi Beleri, ka kërkuar mjekë në paraburgim, pasi ka pretenduar se nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore.

Burimet thonë se Beleri ka pretenduar se është me diabet (duke përmendur edhe disa sëmundje të tjera), dhe kërkon mjekët që të vlerësojnë nëse duhet të qëndrojë në qeli apo në spital.

Ndërsa Pandeli Kakoveshi, miku i Fredi Belerit, i arrestuar po ashtu për blerje votash, është shtruar në spital te QSUT në Tiranë, pasi ka pretenduar se ka probleme shëndetësore. Pritet që masa e sigurimit personal ndaj tij të bëhet në ambientet e spitalit të QSUT.

Burime thonë se e pranishme në gjyq do të jetë edhe ambasadorja greke në vendin tonë Konstantina Kamitsi.