Jahja Kokaj i nervozuar pas vizitës në një universitet në Tiranë, megjithatë u thotë deputetëve “Ju dua”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj është dukur mjaft i nervozuar rreth cilësisë në arsim, pas një vizitë që pati në Tiranë me Komisionin për Arsim.

Fillimisht, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ai tha se pritja nga shteti që ai e konsideron “nanë e babë”, ishte shumë e mirë dhe madhështore.

“Vizituam përveç tjerash edhe Universitetin e Bujqësisë. Në mesin e shumë shumë universitete, se ne kemi shumë universitete këtu në Ballkan, vetëm universitetin e pulave s’e kemi akoma. E universiteti i Bujqësisë na pritën me dashamirësi, dhe rektori i nderuar tha që 16 doktorantë do të doktorojnë, gravitojnë dhe përgatisin doktoraturën në Universitetin e Bujqësisë në Tiranë.” – tha ai.

Këtu, duket se filloi nervozizmi i deputetit Kokaj, i cili tha se kur pyeti se si renditet ky universitet, përgjigja që mori ishte “nuk e di”.

“Pyetjes tjetër, se ku gjindet në nivel ndërkombëtar, në çfarë rangu, tha – nuk ka orientim, nuk e di çfarë niveli, domethënë është nivel i panivelë, nuk ka kurrfarë nivele.” – tha ai.

Më tutje, deputeti i partisë në pushtet nisi të flasë për “degradim të thirrjes akademike”, por në një pjesë të fjalimit të tij, iu drejtua deputetëve duke iu thënë “…ju dua shumë të gjithëve”.

“Ne jemi mirënjohës në thellësinë historike. Por ky degradim i thirrjes akademike, me këta doktorantë e me këta doktora, unë nga kjo foltore e quaj skandaloze. Skandaloze për arsye se nuk doktorohet në këto banka ku jeni, rrini, megjithatë respekt, se ju dua shumë të gjithëve. Por njëri përgatit master, dikush massmaster, tjetri doktoraturë etj, etj.” – tha ai.