Skandali i trukimeve në futbollin spanjoll, i shpërthyer ditët e fundit, ka prekur edhe Valencian, aq sa u diskutua edhe për mospjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm, pasi ndeshja e javës së fundit të La Ligas, e fituar nga kjo skuadër 0-2 në fushën e Valladolidit rezulton të jetë e manipuluar.

Kjo vërtetohet veçanërisht nga një telefonatë mes Carlos Arandas, një prej të hetuarve, me një mik të tij. Ish futbollisti, thotë tekstualisht: “Janë shtatë lojtarë të korruptuar, jo më shumë. Valencia do të fitojë si në pjesën e parë dhe në të dytën, duke shënuar nga një gol në çdo pjesë.”

Goli i parë u shënua 10 minuta para pushimit mes pjesëve, falë një gabimi të Kiko Olivas që i dha mundësi sulmuesit Soler të shënonte. Goli i dytë u shënua pak minuta pasi nisi pjesa e dytë falë një gafe të portierit Yoel Rodriguez. Dy episode mjaft të dyshimta që bënë që të shpërthente alarmi, pasi nga fluksi i parave kjo ndeshje i konsiderua anormale.

Përveç Arandas, “koka” tjetër e hartimit të planit është ish futbollisti i Real Madridit, Raul Bravo. Trukimi është bërë i mundur falë ndihmës vendimtare të kapitenit të Valladolidit, Borja Fernandez, i cili u tërhoq nga futbolli me përfundimin e sezonit. Mësohet se 38-vjeçari ka pranuar të ndërhyjë për fiksimin e rezultatit për një shumë të caktuar parash.

Takimi mes këtyre tre personazheve është mbajtur në një bar që ishte në pronësi të Fernandezit, i cili më pas ka futur në valle disa shokë të skuadrës pas një takimi tjetër të zhvilluar në shtëpinë e Kekos (futbollist i Valladolidit).

Gjatë bisedës së përgjuar, flitet për një pagesë 50 000 euro. Nga provat e siguruara deri tani, nuk ka të dhëna për përfshirjen e futbollistëve të Valencias, që do të thotë se skuadra valenciane nuk rrezikon asgjë.