Ligji për paga, i cili është në procedurë të shqyrtimit në Kuvend, parasheh ngritje pagash për disa sektorë, përfshirë këtu edhe zyrtarët e lartë të qeverisë.
Këto paga janë paraparë në Projektligjin për paga, i cili është në procedurë të shqyrtimit në Kuvend. Ky projektligj parasheh që njerëzit e politikës të jenë përfituesit më të mëdhenj apo të kenë rroga pesëfish më të larta sesa mësimdhënësit. Koeficienti bazë llogaritet të jetë 239 euro.
Sipas Projektligjit, pagën më të lartë do ta ketë presidenti, i cili do të ketë koeficientin e pagës 12, apo 2.868 euro.
Kryeministri, bazuar në Ligji e ri për paga, do të ketë rrogën mujore 2.390 euro, apo koeficientin 10. Njejtë si Kryeministri , pagën do ta kenë edhe kryeparlamentari dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Koeficienti i pagës së deputetit, do të jetë 8.5 apo 2031.5 euro në muaj.
Bazuar në projektligjin e ri, pagat e ministrave do të jenë 1792.5 euro në muaj, ndërsa zëvendës ministrat do të marrin 1.434 euro në muaj, shkruan Koha Ditore.
Paga e një profesori të rregullt universitar do të jetë më e ulët se e zëvendësministrit, kjo pasi koeficienti i tij do të jetë 5.
Në anën tjetër, një shofer i kryeministrit do të paguhet 50 euro më shumë sesa një mësimdhënës në arsimin fillor. Njësoj do të paguhen edhe shoferët, asistentët administrativë dhe mbrojtja e afërt në Presidencë dhe Kuvend.







