Ja përse është kaq e vështirë gjetja e vaksinës kundër koronavirusit

Gara për gjetjen e një vaksine apo kure kundër koronavirusit po bëhet gjithnjë e më e ethshme.

Në mbarë botën po bëhen kërkime, analiza, teste dhe eksperimente për të gjetur atë të duhurën që do të shpëtojë njerëzimin.

Bëhet fjalë për një mision të vështirë sepse në bazë të të dhënave, COVID-19 përshkruhet si 10 herë më vdekjeprurës se gripi sezonal.

Viruset, këto mikrorganizma që nuk shihen me sy të lirë, janë kërcënimi më i madh që na kanoset.

Pavarësisht progresit të mjekësisë moderne, del gjithmonjë një virus që sfidon çdo njohuri, përvojë mjekësore dhe njerëzimin në përgjithësi.

COVID-19 është armiku ynë më i ri. I padukshëm, por vrastar.

Ku Qëndron Kleçka Me Zbulimin e Vaksinës?

Viruset janë të çuditshme.

Bëhet fjalë për një grup molekulash që mblidhen e formojnë forma nga më të voglat por që janë shkatërrimtare pa masë.

Ato infektojnë njëriun nëpërmjet ajrit, ujit por edhe stërklave. Ato i nënshtrohen një mutacioni të vazhdueshëm dhe praktikisht gjenden kudo, në qiell e në tokë.

Në krahasim me bakteret, viruset janë më të vogla dhe më të thjeshta.

Bakteret riprodhohen vetë dhe  shkatërrohen me antibiotikë, viruset jo.

Ato pushtojnë qelizat dhe marrin organizmin peng për të krijuar kopje të vetvetes.

Në botë ka kaq shumë viruse të cilat kalojnë në mutacion të vazhdueshëm saqë çdo vaksinë e personalizuar do të humbiste efikasitetin me kalimin e kohës.

Një faktor tjetër që ndikon në trajtimin e virozave është reagimi i organizmit të njeriut.

Kur imuniteti zbulon një virus në trup, nis të prodhojë antitrupa.

Këto janë proteina që lidhen me qelizën e infektuar prej virusit dhe e nxisin të vetëshkatërrohet.

Problemi qëndron se virusi shkakton shumë dëme dhe përhapet edhe tek të tjerët shumë më parë se prodhimi i antitrupave.

Rrugëtimi i një vaksine nga laboratori deri tek konsumatori kërkon shumë kohë, në mos vite.

Që një vaksinë të funksionojë ajo duhet të jetë në gjendje të shkatërrojë virusin, pa prekur qelizën në organizmin e njeriut.

Kleçka është  tek mutacioni, pra të dhënat genetike të virusit.

Duke qenë se viruset shumohen dhe përshtaten shpejt, ato ndryshojnë shpesh të dhënat gjenetike,

Pra, nëse shkencëtarët krijojnë një vaksinë bazuar në të dhënat fillestare të virusit, ajo nuk do të funksionojë nëse ai ka pësuar mutacion.

Edhe nëse shpiket një vaksinë e re, ajo duhet testuar dhe eksperimentuar tek kafshët, më pas tek njeriu.

Nëse eksperimentet rezultojnë të suksesshme, autoritetet duhet të aprovojnë prodhimin në masë  dhe më pas shpërndarjen në mbarë globin.