Ja kush janë dymbëdhjetë ambasadorët që i shkarkoi Vjosa Osmani me kërkesë të Donika Gërvallës

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në krye me ministren Donika Gërvalla, ka propozuar shkarkimin e 12 ambasadorëve të Kosovës në shtetet e huaja, duke i falënderuar për kontributin e deritanishëm.

Në emrat e ambasadorëve që pritet të lirohen nga detyra pasi presidentja Vjosa Osmani të aprovojë propozimin e MPJ-së, janë Nait Hasani — Shqipëri, Gjergj Dedaj — Maqedoni e Veriut, Ylber Hysa — Mal i Zi, Shpend Kallaba — Hungari, Arbër Vllahiu — Çeki, Gëzim Kasapolli — Kroaci, Avni Kastrati — Slloveni, Beqë Cufaj — Gjermani, Lirim Grajqevci — Holandë, Hajdin Abazi — Australi, Amir Ahmeti — Katar dhe Avni Arifi — Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan lajmi.net.

Nait Hasani ishte emëruar ambasador i Kosovës në Shqipëri në muajin gusht të vitit 2019, ka qenë një nga nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe është ish i burgosur politik në burgun e Dubravës. Me profesion është albanolog dhe i specializuar në marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci si dhe në lidership për menaxhimin e krizave.

Gjergj Dedaj ishte zgjedhur ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut në vitin 2018. Lajmin e kishte bërë të ditur vetë Dedaj, ku kishte falënderuar ish-presidentin Hashim Thaçi për besimin dhe dekretimin e tij në pozitën e ambasadorit. Dedaj ka diplomuar në UP- Dega Filozofi-Sociologji, ka shërbyer më vonë si profesor dhe ka qenë themelues i Partisë Liberale në vitin 1991.

Ylber Hysa ishte emëruar ambasador i Kosovës në Mal të Zi nga ish-presidenti Hashim Thaçi në vitin 2019. Karrierën diplomatike, Hysa e kishte nisur në vitin 2012 kur ishte emëruar ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Gjatë viteve 2004-2007 ka qenë deputet i partisë ORA në Kuvendin e Kosovës dhe pjesëtar i Grupit Negociator kosovar gjatë bisedimeve për statusin në Vjenë.

Shpend Kallaba ishte emëruar ambasador i Kosovës në Hungari në muajin nëntor të vitit 2018. Kallaba ishte emëruar ambasador në të njëjtën ditë me ish-deputetin e PDK-së, Hajdin abazin, i cili ishte emëruar ambasador i Kosovës në Australi. Kallaba ka qenë këshilltar i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli dhe ish-kandidat i AKR-së për deputet.

Arbër Vllahiu ishte emëruar ambasador i Kosovës në Çeki në prill të vitit 2018. Deri në momentin kur ishte emëruar ambasador, Vllahiu kishte shërbyer si këshilltar i kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinajt. Lajmin për emërimin e Vllahiut si ambasador e kishte bërë të ditur këshilltarja e Haradinajt, Diellza Hoti. Vllahiu ka qenë ish-këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga, ndërkohë së fundmi i ishte bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai ka qenë kandidat i kësaj partie për kryetar të Prishtinës.

Gëzim Kasapolli ishte përzgjedhur ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2017. Deri sa ishte emëruar në pozitën e ambasadorit, Kasapolli kishte qenë këshilltar i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit. Kasapolli kishte shërbyer më herët si zëdhënës i Partisë Social Demokrate dhe kishte qenë zëvendës ministër i Integrimeve në Kosovë.

Avni Kastrati ishte dekretuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, si ambasador i Kosovës në Slloveni në vitin 2018. Kastrati kishte qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa gjatë vitit 2014 kishte shërbyer në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Beqë Cufaj ishte emëruar ambasador i Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë në vitin 2018 nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Cufaj ka studiuar gjuhën dhe letërsinë në Prishtinë dhe është shkrimtar e gazetar i njohur. Aktualisht, Cufaj jeton në Shtutgart të Gjermanisë.

Lirim Grajqevci ishte emëruar ambasador i Kosovës në Holandë në vitin 2018. Dekretimi i tij ishte bërë nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ndërsa deri në vitin 2018 kishte shërbyer në pozitën e ambasadorit të Kosovës në Londër. Grajqevci ka qenë këshilltar politik i kryeministrit Hashim Thaçi dhe anëtar i delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë.

Hajdin Abazi ishte emëruar ambasador i Kosovës në Australi nga ish-presidenti Hashim Thaçi në vitin 2018. Abazi ka qenë profesor universitar dhe një ndër themeluesit e diplomacisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më vonë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Abazi ka shërbyer edhe si zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kryetar i Komunës së Ferizajt si dhe ndihmësministër për informim në Ministrinë e Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Amir Ahmeti ishte emëruar ambasador i Kosovës në Katar në vitin 2019 nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Ahmeti kishte shërbyer më herët si këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme nga radhët e AKR-së, Behgjet Pacolli. Pas emërimit të Avni Arifit si ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Amir Ahmeti kishte vazhduar punën si shef i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Katar.

Avni Arifi ishte emëruar ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2019 nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Arifi ka qenë më herët si pjesë e Ekipit Negociator të Kosovës. Deri në vitin 2019 kishte shërbyer edhe si këshilltar i ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Propozimi për shkarkimin e të gjithë ambasadorëve të lartcekur është bërë ditën e djeshme nga ministrja Gërvalla nga Ministria e Punëve të Jashtme tek presidentja Vjosa Osmani, ndërsa sot pritet të finalizohet vendimi.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë me ndonjërin prej ambasadorëve, por deri në momentin e publikimit të lajmit, asnjëri prej tyre nuk ka qenë i gatshëm të prononcohet rreth kësaj çështje.