Kreu i FFK-së, Agim Ademi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk do të japë dorëheqje nga posti i presidentit të FFK-së përkundër dënimit që i është shqiptuar.
Ademi është dënuar për nëntë muaj burgim efektiv për kërcënim dhe sulm ndaj Dritëro Kadollit, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje. Ademi ka thënë se nuk e ka njohur më parë Kadollin dhe e ka takuar vetëm njëherë.
Ai insiston se veprimet për pastrimin e emrit të tij do t’i ndërmarrë pas pranimit të vendimit të Gjykatës. Numri një i FFK-së ka shtuar se UEFA mund ta kërkojë dorëheqjen e tij, por vetëm nëse e sheh se është bërë shkelje diku. “Por fakti që s’ka të bëjë brenda futbollit dhe ka të bëjë për personalitetin tim. Unë do të marr vendimin, do të shoh të gjitha rrugët derisa ai të jetë i plotfuqishëm.
Nëse vërtetohet kjo fajësi në shkallët e tjera, sigurisht se s’do t’iu vjen mirë, por në formën aktuale që është unë e kam mbështetjen e UEFA-s. Që nga zgjedhja ime asnjë veprim nuk kam bërë pa i njoftuar ata. Moralisht dorëheqjen nuk e kam menduar, pasi primare është të pastroj personalitetin tim”, ka thënë Ademi.







