Iu skadon afati, mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca donacion nga Norvegjia largohen nga administrimi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media ka bërë të ditur se janë hequr nga administrimi mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca pas skadimit të afatit, vaksina këto të cilat ishin donacion nga Norvegjia.

“Sot kemi hequr nga administrimi 133 mijë 234 Vaksina nga kompania AstraZenca pjesë e donacionit nga Norvegjia që ju ka skaduar afati. Si ministri kemi njoftuar se afati i tyre është 31 gushti i këtij viti”, tha Vitia.

Ministri shtoi se ka pasur shumë dezinformata përfshirë këtu edhe nga deputetë të Kuvendit për afatin e këtyre vaksinave.

“Përveç të tjerash kjo ka ndodhur dukshëm në uljen e interesimit të qytetarëve për të marrë këtë vaksinë. Në ballafaqim me pandeminë dhe pas përhapjes së variantit Delta ne nuk jemi në situatë për të zgjedhur vaksina sidomos kur ato janë të sigurta”, u shpreh Vitia.

Vitia shtoi se vaksinat që janë në stoqe tona janë vaksina të sigurta.

“Ju siguroj se aktualisht kemi mjaftueshëm vaksina dhe nuk do të lejojmë që stoqet tona të mbesin pa to asnjë moment. Presim në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër 150 mijë vaksina nga Gjermania dhe në javën e tretë të shtatorit edhe 100 mijë vaksina nga Italia. Edhe këto vaksina janë AstraZeneca me afat deri në nëntor të këtij viti”, ka thënë Vitia.

Ai shtoi se në fillim të javës tjetër pritet të vijnë edhe pjesa tjetër e vaksinave Pfizer përmes COVAX nga donacioni i SHBA-ve prej 500 mijë dozave, dhe mbi 200 mijë doza nga kontrata bilaterale që kemi me Pfizer.

Ministri shtoi se ekipet e vaksinimit do të intensifikojnë punën edhe gjatë vikendit filluar nga java e ardhshme.