Iu gjet armë në veturën zyrtare, Bekë Berisha: E kam me leje, rasti është tendencioz

Policia e Kosovës sot ka ndaluar veturën zyrtare të deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, e cila ishte duke u drejtuar nga shoferi i tij.

Gjatë kontrollit në veturë është gjetur edhe një çantë e cila është raportuar se i përket deputetit Berisha, i cili nuk ka qenë prezent në veturë.

Në një prononcim për lajmi.net, deputeti Berisha e ka konfirmuar rastin, megjithëse e ka cilësuar si ‘tendencioz’ pasi që ka thënë se ai posedon leje për armëmbajtje.

“Unë nuk kam qenë në veturë, arma ka qenë në veturën time zyrtare. Është hapur edhe rast, e kanë ftuar forenzikën, tendenca ka qenë me e bë mediale dhe me më njollos tani sepse janë zgjedhjet komunale. Është etiketim me qëllime politike”, ka thënë deputeti Berisha.

Ai ka thënë se është i pajisur me lejen për armë dhe dokumentin që i lejon armëmbajtjen.