Iu bashkua ISIS-it dhe merrte para nga kjo organizatë, ngrihet aktakuzë ndaj një gruaje kosovare

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër A.A., e cila dyshohet për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”

Prokuroria Speciale ka njoftuar se e dyshuara A.A. në nëntor të vitit 2015 me vetëdije të plotë se bashku me bashkëshortin H.S. dhe vajzën D.S. kanë udhëtuar nga Kosova në Stamboll.

Pas Stambollit, ata kishin shkuar në Siri, për t’iu bashkangjitur ISIS’it.  

“Prokuroria Speciale njofton se e pandehura A.A. më 23.11.2015,  me vetëdije  të  plotë, së bashku me bashkëshortin e saj, H.S dhe vajzën e tij, D.S. e kanë lëshuar vendbanimin e tyre të përhershëm në Republikën e Kosovës,  përmes Aeroportit ndërkombëtar  “Adem Jashari”  kanë  udhëtuar për në Stamboll – Turqi. Më pas të njëjtit kanë  hyrë në shtetin  islamik në Siri, me qëllim  që ti bashkëngjiten  organizatës terroriste  “ISIS”,  e nga e cila organizatë është financuar rregullisht me një shumë të hollash prej 50 euro në muaj”, thekson Prokuroria Speciale.

Me këto veprime e pandehura A.A. ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.