Italia vazhdon të magjeps, kualifikohet në gjysmëfinale pasi e eliminoi Belgjikën

Nuk ndalet Italia. E mundi 2-1 Belgjikën dhe u kualifikua në gjysmëfinale me golat e Insignes dhe Barellas. Në gjysmëfinale, të besuarit e Roberto Mancinit do të kenë punë me Spanjën e Luis Enriques. Sfida do të zhvillohet me 6 korrik në ora 21:00.

Të besuarit e Roberto Mancinit kanë arritur ta mposhtin 2-1 Belgjikën në çerekfinale të Kampionatit Evropian, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, atje ku do të përballen me Spanjën.

Të gjithë golat e kësaj mbrëmje u shënuan në pjesën e parë.

Fillimisht, në minutën e 31-të, Nicolo Barella shënoi një gol të bukur për 1-0.

Më pas, në atë të 44’, Lorenzo Insigne shënoi gol edhe më të bukur, për 2-0.

Por, vetëm një minutë më vonë, Belgjika fitoi një penallti të cilën e konkretizoi në gol Romelu Lukaku.

Në pjesën e dytë, u mendua se Belgjika do të marrë lojën nën kontroll për të kërkuar golin e barazimit fillimisht, por jo, Italia nuk u tremb aspak dhe për asnjë minutë nuk u kthye në mbrojtje, duke bërë lojën e saj dhe duke krijuar shumë raste shënimi, por deri në fund nuk u shënua asnjë gol më dhe u mbyll sfida 2-1.

Italia, tani që shihet si favorite, në gjysmëfinale do të ketë punë me Spanjën, që do të zhvillohet me 6 korrik.