Italia mposht Greqinë dhe siguron kualifikimin në Euro 2020

Kombëtarja e Italisë ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian pas fitores 2-0 ndaj Greqisë në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Grupit J.

Ekipi i drejtuar nga Roberto Mancini ka vazhduar serinë e qind për qind me shtatë fitore nga po kaq ndeshje, duke mposhtur në shtëpi Greqinë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Azurrëve, por edhe përkundër rasteve të krijuara nuk arritën të gjejnë rrjetën.

Në pjesën e dytë, përsëri ishte Italia që dominoi në posedim dhe raste, ndërsa shënoi edhe dy gola për të siguruar fitoren.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 63-të dhe ishte Jorginho, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë për 1-0.

Në minutën e 78-të ishte Federico Bernardeschi që shënoi një gol të bukur nga distanca për 2-0 dhe ky doli të jetë rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Italia ka 21 pikë në vendin e parë dhe siguron kualifikimin në Euro 2020, ndërsa Greqia ka pesë pikë në vendin e pestë.

Në ndeshjen e radhës, Azurrët udhëtojnë te Lihteshtejni, ndërsa Greqia e pret Bosnje e Hercegovinën.