Italia fiton ndeshjen për vendin e tretë në Ligën e Kombeve

Italia e ka fituar vendin e tretë në Ligën e Kombeve.

Kampionia e Evropës të dielën gjatë ditës, mposhti me rezultatin 2:1 Belgjikën në “Allianz Stadium” të Juventusit.

Ishte ndeshje tejet dramatike deri në fundin e ndeshjes.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa me të filluar takimi pas pushimit, Nicolo Barella me vollej-gjuajtje, shënoi për mrekulli në portën e portierit Thibaut Courtois.

Në minutën e 65-të, Federico Chiesa fitoi penallti pasi në të, në mënyrë të palejuar, ndërhyri Timothy Castagne, që u ndëshkua me karton të verdhë.

I saktë nga pika e bardhë ishte Domenico Berardi.

Belgjika e ngushtoi epërsinë me mesfushorin Charles de Ketelaere, por nuk doli të jetë gol i kthesës për belgët.

Përzgjedhësi i italianëve, Roberto Mancini, u bë trajneri që arrin më së shpejti 30 fitore nën drejtimin e Italisë.

Belgjika mbetet pa fitore edhe pas ndeshjes së gjashtë kundër Italisë në ngjarje të mëdha.