Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Brendshme e Italisë tregoi dispozitën ligjore, në bazë të së cilës dëboi 54 tifozë të Ajaxit.
Ata mbërritën në Itali për të parë sfidën midis skuadrës së zemrës dhe Juventusit, e vlefshme për çerekfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve.
Këtij grupi tifozësh iu gjet në posedim fishekzjarre, doreza boksi dhe tymuese. Të 54 tifozët janë dëbuar nga Italia sot në mëngjes për arsye të rendit publik.
Ky largim i tyre është bërë i mundur në bazë të Dekretit të Sigurisë.
Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, e komentoi kështu këtë veprim: “Faleminderit policisë! Askush nuk mund të vijë në Itali për të krijuar trazira. Stadiumet dhe qytetet tona janë të mbyllura për dhunuesit”.







