Isufi: Nuk duam Qeveri teknike, Haradinaj- kandidat i pakontestueshëm për kryeministër

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do të jetë pjesë e një qeverie të mundshme teknike,

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se janë pajtuar që të shkojnë në zgjedhje të reja, ndërsa thotë se preferojnë një koalicion parazgjedhor me partitë më të vogla, si Nismën Socialdemokrate dhe PSD-në.

“Fillimisht në kemi thënë që do të dalim si subjekt i veçantë, por nëse ka nevojë që të bëhen koalicione atëherë shkojmë me partitë me të cilat kemi pasur një traditë të angazhimit tonë të përbashkët siç është NISMA, poashtu edhe me PSD-në për shkak të konstruktivitetit që ka treguar në këto angazhime, sidomos me aprovimin e ligjeve të rëndësishme të cilat kanë qenë për Kosovën. Poashtu edhe ndonjë parti tjetër e cila mund të jetë pjesë e angazhimit, por kjo do të shihet në ditët në vijim se cilat janë orientimet e partive tjera të cilat duan t’i bashkohen Aleancës. Nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti, por që kemi me dikën afrim më shumë e me dikë kemi distancë”, thotë ai.

Isufi po ashtu thotë se Ramush Haradinaj është kandidat i pakontestueshëm për Kryeministër, pasi që si thotë ai, Haradinaj për dy vjet sa ishte në krye të qeverisë dëshmoi se di të mbrojë interesat e Kosovës.

Isufi komentoi edhe vendimin e Kryesisë së Kuvendit për të caktuar 22 gushtin si datë për seancën në të cilën synohet shpërbërja e Kuvendit.Thotë se ishte një dakordim i të gjitha partive për një datë të tillë.

“Në fund të takimit të Kryesisë të gjithë janë pajtuar që të jetë kjo datë, megjithëse ka pasur edhe propozime siç ka qenë edhe propozimi ynë që edhe më herët bënë 14 ose 15 gushti, por megjithatë ishte një kërkesë që të bëhet me 22 për shkak të përgatitjeve që duhet të bëhen dhe kjo është në rregull”.

Isufi ka mohuar mundësinë e një qeverie teknike, pasi që thotë se të gjitha partitë tashmë janë pajtuar që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

loading…