Ismet Munishi (si zakonisht) jep dorëheqje nga posti trajnerit të Vëllaznimit

Ismet Munishi i ka ndarë rrugët me klubin e Vëllaznimit të mërkurën më mbrëmje, në një kohë vendimtare të sezonit për synimet e klubit.

Munishi largohet nga klubi gjakovar – i cili bën gara në Ligën e Parë, nivelin e dytë të futbollit kosovar – pas humbjes turpëruese në shtëpi 4:0 nga Trepça, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës të mërkurën.

Vëllaznimi do të luajë në ndeshjen e kthimit në Mitrovicë me pak gjasa për finalen e ëndërruar, me Munishin larg stolit të tij.

Klubi gjakovar është duke luftuar për t’u rikthyer në Superligë dhe ndodhen në zonën e play-off, me vetëm gjashtë pikë larg vendit të dytë, vendit të promovimit direkt në ligën elitare kosovare.

Gjashtë javë para fundit të kampionatit, Vëllaznimi ka 46 pikë, tri më shumë se vendi i pestë, Vitia, një më pak se vendi i katërt, Dukagjini dhe gjashtë më pak se vendi i dytë, Besa.

Vëllaznimi është në pozitë të mirë për ta siguruar promovimin, qoftë përmes play-off apo drejtpërdrejt, por këtë duhet ta bëjë pa Munishin.