Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka folur për media para fillimit të seancës për votimin e Buxhetit dhe Projektligjit për pagat.

Ismaili ka theksuar edhe njëherë se infermierët dhe mjekët në përgjithësi do të kenë ngritje pagash, siç thotë ai si asnjëherë më parë dhe kushtet e tyre do të jenë në balancë ose edhe më të mira se të rajonit, transmeton Ballkani.info

Tutje, Ismaili ka thënë se qëllimi i përmirësimit të kushteve për sektorin e shëndetësisë është që punonjësit mos të kërkojnë punë dytësore si pasojë e mospagesës.

“Kushtet do të përmirësohen dhe do të jenë më mirë se në rajon për sektorin e shëndetësisë. Kjo po bëhet me qëllim që këta punonjës mos të kërkojnë punë dytësore. Përmirësimi i kushteve do të ofrojë vullnet të punonjësve shëndetësorë për të bërë më shumë punë. Dua të theksoj se të gjitha kërkesat kolektive të mjekëve janë duke u plotësuar, por jo edhe ato individuale sepse kështu nuk përmirësohet sistemi”, ka përfunduar Ismaili. /Ballkani.info