Ismaili i reagon Nagacit: Mohimi i shamisë me veprime përjashtuese përmban ngjyrë fashizmi

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili, ka thënë se është e shqetësuar pas deklaratave të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në lidhje me udhëzimin administrativ, i cili ndalon bartjen e mbulesës nëpër shkolla.

Ismaili përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se mohimi i shamisë me veprime përjashtuese, përmban “ngjyrë fashizmi”.

“Si politikane, ish- deputete dhe një aktiviste gjithë jetëm e përkushtuar për të drejtat qytetare, jam duke u angazhuar maksimalisht, (ashtu siç kam bërë prore për më shumë se dy dekada tanimë, edhe në rastet e mëhershme) për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e mia, për të asgjësuar tendenca për veprime dhe vendime të tilla, të kundërligjshme dhe diskriminuese”, ka thënë tutje ajo.

Postimi i plotë:

Tejet e shqetësuar me provokimin për mos ndryshim të Udhëzimit Administrativ nga ana e ministres Nagavci! Kjo është e papranueshme!

Ka një dallim substancial ndërmjet institucionalizmit fetar dhe lirisë individuale fetare.

Thirrja për të ruajtur parimin sekular të shtetit po shtrembërohet me qëllim për të mohuar lirinë individuale fetare.

Nuk mund të definohet sekuralizmi përmes përjashtimit të shamisë. Mohimi kategorik i tyre me veprime përjashtuese, përmban ngjyrim fashizmi.

Respektimi i të drejtave dhe lirive nuk guxon assesi të jetë selektiv gjatë ushtrimit të ligjit. Aq më hiq kur kemi të bëjmë me vajza.

Si politikane, ish- deputete dhe një aktiviste gjithë jetëm e përkushtuar për të drejtat qytetare, jam duke u angazhuar maksimalisht, (ashtu siç kam bërë prore për më shumë se dy dekada tanimë, edhe në rastet e mëhershme) për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e mia, për të asgjësuar tendenca për veprime dhe vendime të tilla, të kundërligjshme dhe diskriminuese.

Ksenofobia nuk i duhet shoqërisë kosovare!

Lufta jonё e kahmotshme pёr tё arritur barazinё dhe drejtёsinё pёr tё gjitha grupet shoqërore pa dallim është obligim jo vetëm moral por edhe ligjor.

Betejat e vështira të shoqëruara me suksese po aq të vështira, por të njëpasnjëshme, për këto njëzet e dy vitet e fundit për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare në Kosovë, nё njё sistem jo pak selektiv, janë dëshmia më e mire se me punë dhe bashkëpunim, ngadhenjejmë në luftimin e padrejtësive.

Nxënëset me shamia, të gjitha arsimdashëse dhe shembullore, dhe familjet e tyre të vuajtura, meritojnë drejtësinë si dhe vlerësim për durimin dhe gatishmërinë që kjo çështje të gëzojë zgjidhjen e merituar institucionale.

Dhe ne presim, me të drejtë, që kjo të ndodhë sa më parë!