Ish ylli i Manchester United njofton tërheqjen nga futbolli

Një tjetër sulmues që ka shkruar histori në dy dekadat e fundit i jep fund karrierës futbollistike. Dimitar Berbatov ka lajmëruar se ka vendosur të varë këpucët në gozhdë 1 vit e gjysmë pas ndeshjes së fundit zyrtare të luajtur prej tij.

Përvoja e fundit e bullgarit 38-vjeçar ishte në Indi me skuadrën e Kerala Blasters. Lojtari i lindur në vitin 1981 nuk luan në Europë që nga viti 2016, kur vishte fanellën e Paokut të Selanikut.

Berbatov është rritur si futbollist te CSKA e Sofjes, por shpërtheu në futbollin elitar europian në radhët e Bayer Leverkusenit, para se të kalonte për dy vite te Tottenhami në Angli. Manchester United ishte pa dyshim maja e karrierës në Premier League për Berbatov, i cili pas përfundimit të kontratës me “Djajtë e Kuq” luajti në Angli edhe me Fulhamin, para se të kalonte te Monaco në Francë.

loading…